Viti 1584 shënon fillimin e arsimit në gjuhën shqipe në Stubëll. Kjo shkollë, e organizuar në nivel kolegji dhe e hapur fillimisht nga Selia e Shenjtë, nën udhëheqjen e Papës Gregori XIII, përmes vizitorëve apostolikë të saj, Aleksandër Komulloviq (Aleksandar Komulović – Alessandro Comuleus) dhe Tomaso Ragja (Tommaso Raggio), konsiderohet zyrtarisht si institucioni i parë arsimor në gjuhën shqipe në mbarë trojet shqiptare. Për nevojat e kësaj shkolle, ata sollën me vete edhe një libër në gjuhën shqipe në 500 kopje. Vendimi për hapjen e shkollës pikërisht në Stubëll u arsyetua me faktin se kjo zonë ishte albanofone dhe se, sipas burimeve të kohës dhe raportit të hartuar nga të dërguarit e Papës, “nuk vinin dhe nuk banonin turqit”.
Pavarësisht ndërprerjeve të herëpashershme të shkaktuara nga rrethanat historike në të cilat u gjend populli shqiptar, kjo shkollë vazhdoi veprimtarinë e saj deri në vitin 1896.
Nga viti 1896 deri më 1939, falë iniciativës së Dom Mikel Tarabulluzit dhe përkrahjes së fuqishme e të qëndrueshme të Perandorisë Austro-Hungareze, mësimi vijoi të zhvillohej në objektin që sot njihet si Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Në këtë objekt mësimi është mbajtur edhe gjatë viteve 1964–1966. Në muze ruhen një numër i konsiderueshëm dokumentesh arkivore, libra të vjetër dhe artefakte me vlerë të veçantë historike.
Ndër librat më të rëndësishëm të ruajtur janë vepra “Doktrina e krishterë” e Pjetër Budit (1664) në gjuhën shqipe, si dhe libri “Agrippae”, i botuar në gjuhën latine më 1638, me autor Heinrich Cornelius. Krahas tyre, muzeu posedon edhe libra të hershëm të gjuhës shqipe, të cilët përmbajnë kapituj nga lëndë të ndryshme mësimore, si historia kombëtare dhe botërore, gjeografia, fizika, bujqësia dhe disiplina të tjera shkencore. Po ashtu, ruhen edhe libra të matematikës, të njohur me emrin “Numeratore”, si dhe një sërë botimesh të tjera mësimore e edukative që dëshmojnë për nivelin e avancuar të arsimit të asaj kohe.
Rëndësia e këtij institucioni qëndron në faktin se ai hodhi themelet e para të edukimit kombëtar dhe të ruajtjes së identitetit shqiptar në një periudhë veçanërisht sfiduese të historisë sonë.
Të paktën që nga viti 1844/45 janë identifikuar një sërë mësimdhënësish që kanë punuar dhe shërbyer në shkollën e Stubllës, si: Andreu i Kristës, Bartolome Fantella, Mikel Leka, Mikel Shala, Dom Mikel Tarabulluzi, Jak Tarabulluzi dhe Engjëll Zefi (ky i fundit ka qenë edhe ish-nxënës i kësaj shkolle).